Gjatë muajve maj dhe qershor, stafi akademik i Universitetit të Prishtinës pati mundësinë të marrë pjesë në trajnime që synonin përmirësimin e praktikave mësimore përmes Hulumtimit në Veprim. Ky trajnim i pajisi pjesëmarrësit me mjete dhe strategji për të analizuar dhe reflektuar në mënyrë sistematike mbi mësimdhënien e tyre, duke nxitur marrjen e vendimeve të bazuara në të dhëna dhe kërkime të mirëstrukturuara. Diskutimet dhe aktivitetet praktike u fokusuan në identifikimin e pyetjeve hulumtuese, mbledhjen dhe analizën e të dhënave, si dhe interpretimin e gjetjeve për të përmirësuar procesin e të nxënit.
Gjithashtu, stafi pati mundësinë të mësonte se si të integronte kërkimin në mësimdhënie përmes Mësimdhënies së Bazuar në Hulumtime (MBH). Ky trajnim u përqendrua në zhvillimin e të nxënit aktiv, të menduarit kritik dhe aftësive kërkimore te studentët, duke eksploruar modele të ndryshme të zbatimit dhe përdorimin e teknologjisë për ta lehtësuar këtë proces. Diskutimet për përfitimet dhe sfidat e MBH ndihmuan pjesëmarrësit të shqyrtonin mundësitë e aplikimit në kontekstin e tyre akademik.
Pjesëmarrësit vlerësuan interaktivitetin dhe përmbajtjen praktike të sesioneve, duke theksuar vlerën e tyre për zhvillimin e mëtejshëm profesional.