QPM E UP-SË REALIZOI TRAJNIMIN E PARË BAZIK PËR STAFIN E UMIB-IT

Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me kërkesën e parashtruar nga Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” ka filluar implementimin e projektit 3-fazësh për trajnimin e stafit të këtij universiteti publik.

Më 30 dhe 31 janar 2020 u mbajtë trajnimi i parë dyditor i nivelit bazik me ç’rast 20 profesorë dhe asistentë të këtij institucioni publik të arsimit të lartë u njohën me metoda bashkëkohore të mësimdhënies dhe të nxënit. Pjesëmarrësit e trajnimit i vijuan sesionet e udhëhequra nga trajnerë të certifikuar në didaktikën universitare të cilët këmbyen përvojën e tyre me kolegët nga UMIB. Temat që u shpalosën dhe u diskutuan në modulet e trajnimit: Teoritë dhe stilet e të nxënit/ të mësuarit, Shkathtësitë e prezentimit,  Hartimi i rezultateve të të nxënit, Metodat aktivizuese, Vlerësimi i studentëve, dhe Menaxhimi i klasës dhe i grupit, zgjuan jo vetëm interesimin, por edhe bashkëveprimin mes pjesëmarrëve dhe trajnerëve. Në këtë mënyrë u krijua një forum për diskutimin e sfidave në mësimdhënien universitare, por edhe për gjetjen e zgjidhjeve për t’i mposhtur ato.

Trajnimi në përgjithësi, dhe puna e trajnerëve të QPM-së në veçanti, u vlerësua lartë nga pjesëmarrësit (mesatarja e vlerësimit 4.15) të cilët shprehën dëshirën e tyre të jenë pjesë e trajnimeve të tjera të QPM-së në të ardhmen e afërt.

Dy fazat e tjera të trajnimeve të QPM-së për stafin e UMIB-it janë planifikuar të realizohen gjatë vitit 2020 dhe 2021.

Image
Image
Image
Image
Image
Image