PËRFUNDOI TRAJNIMI I NIVELIT BAZIK “MËSIMDHËNIA NË ARSIMIN E LARTË” E ORGANIZUAR NGA QPM

Ftesës së Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për aplikim për trajnimin bazik “Mësimdhënia në arsimin e lartë” dhe “Planifikimi dhe implementimi i mësimdhënies në arsimin e lartë” të publikuar më 1 shtator 2019 iu përgjigjën mbi 80 profesorë dhe asistentë, staf i rregullt i Universitetit të Prishtinës.

Më 12 dhe 13 shtator 2019 u mbajtë trajnimi dyditor i nivelit bazik të cilin e vijuan 25 vijues. Trajnimi i cili u realizua nga trajnerët e certifikuar të QPM-së në hapësirat e Fakultetit të Filologjisë u vlerësua lartë nga pjesëmarrësit (mesatarja 4.29), të cilët shprehën mirënjohje për përmbajtjen dhe organizimin, por edhe dhanë sugjerime për kurse të reja trajnimi të cilët do të përqendroheshin në çështje të caktuara të fushëveprimit të stafit akademik të UP-së

Përmes këtij trajnimi, vijuesit u njohën me teori dhe qasje të ndryshme bashkëkohore përkitazi me mësimdhënien dhe të nxënit. Gjatë trajnimit pjesëmarrësit i këmbyen përvojat me trajnerët e QPM-së si dhe me kolegët e tyre duke marrë pjesë në veprimtaritë e larmishme, të cilat  do të mund t’i zbatojnë në punën e tyre me studentët, duke synuar gjithnjë avancimin e shkathtësive të tyre mësimdhënëse, si dhe përmirësimin e rezultateve të studentëve përmes promovimit të të nxënit aktiv.

Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie do të vazhdojë me trajnime të tjera pas fillimit të vitit të ri akademik për stafin e rregullt të UP-së të interesuar për trajnime përmes kësaj qendre. Deri tani përmes qendrës sonë janë certifikuar 417 pjesëtarë të stafit të UP-së në tnivelin bazik dhe atë të avancuar, si dhe në përdorimin e teknologjisë në mësimdhënien universitare.

Image
Image
Image
Image