PËRFUNDOI TRAJNIMI I PARË “MËSIMDHËNIA NË ARSIMIN E LARTË” E ORGANIZUAR NGA QPM

Ftesës së Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për aplikim për trajnimin bazik “Mësimdhënia në arsimin e lartë” të publikuar më 7 maj 2018 iu përgjigjën mbi 150 profesorë dhe asistentë, staf i rregullt i Universiteti të Prishtinës.

Më 18 dhe 19 maj 2018 u mbajtë trajnimi i parë dyditor nga radha e trajnimeve të planifikuara nga QPM. Trajnimi i cili u realizua nga trajnerët e certifikuar të QPM-së në sallën e masterit të Fakultetit të Edukimit, e vijuan profesorët dhe asistentët, së bashku me trajnerët e rinj të QPM-së të cilët janë duke e vijuar programin për certifikim “Trajnimi i Trajnerëve”.

Përmes këtij trajnimi, vijuesit u njohën me teori dhe qasje të ndryshme bashkëkohore përkitazi me mësimdhënien dhe të nxënit. Gjatë trajnimit pjesëmarrësit i këmbyen përvojat me trajnerët e QPM-së si dhe me kolegët e tyre duke marrë pjesë në veprimtaritë e larmishme, të cilat  do të mund t’i zbatojnë në punën e tyre me studentët, duke synuar gjithnjë avancimin e shkathtësive të tyre mësimdhënëse, si dhe përmirësimin e rezultateve të studentëve përmes promovimit të të nxënit aktiv.

Gjatë muajit qershor dhe korrik Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie do të ofrojë radhë të tjera trajnimesh në modulet që përfshihen me trajnimin “Mësimdhënia në arsimin e lartë” për kandidatët të cilët kanë shprehur interesim e tyre për t’u trajnuar, por që nuk kanë mund të përfshihen në trajnimin e 18 dhe 19 majit.