Ftesë për aplikim për Trajnerë të rinj

Në pajtim me misionin e saj për avancimin e kapaciteteve akademike, zhvillimin e sistemeve mësimore dhe promovimin e mësimdhënies efektive dhe cilësore, Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke synuar ngritjen e kapaciteteve të veta trajnuese dhe zgjerimin e grupit të trajereve të certifikuar, fton stafin akademik të UP-së të aplikojnë për programin “Trajnimi i Trajnerëve” (TIT).

Programi TIT është projekt i përbashkët i hartuar në bashkëpunim me World Learning, Universitetin Shtetëror të Arizonës, dhe Qendrën për Përsosmëri në Mësimdhënie të UP-së që do të implementohet gjatë periudhës mars – qershor 2018.

Programi i trajnimit përmbanë module për qasjet më bashkëkohore që lidhen me të nxënit dhe mësimdhënien në arsimin e lartë dhe në të po ashtu përfshihet edhe integrimi i teknologjisë më të avancuar për lehtësimin e procesit të të nxënit dhe të mësimdhënies; rrjedhimisht përmirësimin e performancës së mësimdhënësve, si dhe të rezultateve të studentëve.

Programi TIT do të implementohet në katër faza. Tri nga fazat e programit do të zhvillohen në QPM të UP-së, ndërkaq faza e tretë do të realizohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

  • Faza 1 - 9 – 12 mars (3.5 ditë; 27 orë)
  • Faza 2 – 27 prill – 1 may (5 ditë; 40 orë)
  • Faza 3 – qershor (5 ditë; 40 orë)
  • Faza 4 -  June (4 ditë; 32 orë)

Të drejtë aplikimi për programin TIT kanë stafi i Universitetit të Prishtinës që kanë gradën doktor shkence, si dhe kandidatët për doktor shkence në fazë të fundit të studimeve të doktoratës.

Kandidatët të cilët janë të interesuar ta vijojnë programin TIT dhe të bëhen trajnerë ndërkombëtarisht të certifikuar të QPM-së të UP-së duhet të paraqesin dokumentet si vijon:

  • CV-në
  • Letër motivimi
  • Kopjen e diplomës së doktoratës, ose dëshminë për miratimin e tezës së doktoratës nga organi përkatës i universitetit
  • Kopjen e kontratës me UP-në
  • Kopjet e certifikatave për vijimin e trajnimeve relevante në të kaluarën

Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet duke u mbështetur në dosjen personale të dorëzuar. Përparësi në përzgjedhje do të kenë kandidatët me bekgraund më të pasur të trajnimeve, si dhe njohja e gjuhës angleze pasi që pjesa më e madhe e programit TIT do të zhvillohet në gjuhën angleze. Gjatë përzgjedhjes po ashtu do të kihet parasysh përfaqësimi i baraspeshuar i kandidatëve nga disiplina të ndryshme.

Kandidatët e përzgjedhur duhet t’i vijojnë dhe t’i përfundojnë me sukses gjithë komponentet e programit për t’u pajisur me certifikatë të lëshuar bashkarisht nga Universiteti i Prishtinës, World Learning dhe Universiteti Shtetëror i Arizonës dhe për t’u bërë anëtarë të grupit të trajnerëve të QPM-së të kualifikuar për trajnimin e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës dhe të institucioneve të tjera të arsimit të lartë.

Kandidatët duhet t’i dërgojnë dokumentet e tyre të skanuara në email adresën: [email protected]. Afati i fundit për dërgimin e aplikacioneve është 25 shkurt 2018 në mesditë.