QENDRA PËR PËRSOSMËRI NË MËSIMDHËNIE E UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS PËRMBYLL ME SUKSES VITIN 2017

Në pajtim me misionin e saj për avancimin e kapaciteteve akademike, zhvillimin e sistemeve mësimore dhe promovimin e mësimdhënies efektive, si dhe në përputhje me Planin Strategjik të Zhvillimit të saj, Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie e Universitetit të Prishtinës i realizoi dy radhë të trajnimeve dyditore për stafin e rregullt të Universitetit të Prishtinës gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 2017.

Trajnimet në “Mësimdhënien në arsimin e lartë”, përmbanin një numër modulesh kyçe që ndërlidhen me teoritë dhe qasjet bashkëkohore në mësimdhënien dhe të nxënit në arsimin e lartë. Pjesëmarrësit u njohën me teoritë e të nxënit dhe implikimet e tyre në praktikën mësimdhënëse, përfshirë këtu edhe stilet e të nxënit dhe të mësuarit, mësimdhënien efektive, dhe teknikat ndërvepruese në mësimdhënie. Modulet e hartimit të rezultateve të të nxënit, shkathtësive të prezentimit, menaxhimit të grupit dhe klasës, sikundër edhe moduli i vlerësimit të studentëve, po ashtu qenë përfshirë në trajnim.

Përmes qasjeve inovative dhe të nxënit përmes përvojës, demonstrimeve, dhe diskutimeve me trajnerët dhe kolegët e tyre, pjesëmarrësit patën kohë dhe mundësi të mjaftueshme për ndërthurjen e teorisë me praktikën përmes të nxënit praktik. Të udhëhequr nga trajnerët me përvojë të QPM-së, pjesëmarrësit përfituan njohuri dhe shkathtësi të vlefshme dhe siguri për zbatimin e tyre në sallat e tyre të mësimit.

Informatat kthyese të pjesëmarrësve jo vetëm se ishin tejet pozitiv, por po ashtu, në komentet e tyre, shumica e pjesëmarresve shprehën gatishmërinë dhe vullnetin për të marrë pjesë në trajnimet që do të organizohen nga QPM në të ardhmen, që dëshmon se e përqafojnë filozofinë e të mësuarit gjatë gjithë jetës, përbërës i domosdoshëm i mësimdhënies efektive.

Aktiviteti i Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie kulmoi në ceremoninë e certifikimit të organizuar Rektorat, me ç’rast 37 profesorë dhe asistentë të Universitetit të Prishtinës u nderuan me certifikata për përfundimin e sukseshëm të të gjitha moduleve të trajnimit “Mësimdhënia në Arsimin e Lartë”.

 

Image
Image
Image
Image