Ceremonia e certifikimit të mësimdhënësve në Qendren për Përsosmëri në Mësimdhënie

Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë me përkrahjen e programit të Lidershipit Transformues të USAID –it certifikoi 24 mësimdhënës.

Me këtë rast rektori Zejnullahu ka falënderuar USAID-in dhe MASHT–in për mbështetjen e kësaj Qendre e cila synon avancimin e vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm në mësimdhënie, shërbime inovative dhe resurse për të promovuar kulturën e përsosmërisë në mësimdhënie në fakultetet e Universitetit të Prishtinës dhe institucionet e tjera të Arsimit të Lartë.

Ndër të tjera ai shtoi se “duke ofruar një mësimdhënie të cilësisë sa më të mirë, për aq sa na lejojnë kushtet tona dhe dija që posedojmë vet, ne ushqejmë shpresat te studentët tanë për një Universitet që duhet të jetë Qendër që prinë në nxitjen e zhvillimit të përgjithshëm shoqëror.  Prandaj, duhet të punojmë së bashku në këtë drejtim, sepse në kontekstin tonë çdo përmirësim, sado i vogël i gjendjes në Universitet është kontribut për përmirësimin e gjendjes në shoqëri. Edukimi është mekanizmi më i mirë për të përcaktuar koordinatat e vetes tonë në hapësirën e një shoqërie që synon të bëjë përparime në një kohë kur gara për dije po bëhet gjithnjë më e vështirë dhe gjithnjë më e pa arritshme”.