Historiku i Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie

Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie (QPM) është themeluar si bashkëpunim me përfaqësuesit e Universitetit Shtetëror të Arizonës – SHBA në vitin 2004. Pas themelimit e deri në vitin akademik 2005/2006 QPM operonte vetëm në Fakultetin Filozofik, ndërsa pas kësaj periudhe, Senati i UP-së e zgjeroi fushë veprimtarinë e qendrës për të gjitha njësitë e UP-së.
Në fillim për organizimin e aktiviteteve profesionale, QPM e gëzonte mbështetjen materiale dhe profesionale nga Universiteti i Arizonës. Që nga viti 2006, QPM arriti të realizoj një numër më të vogël të trajnimeve meqë kishte vështirësi financiare, dhe me të njëjtat vështirësi vazhdoi deri në fundin e vitit 2007.
Në prill të vitit 2007 në mbështetje të projektit TEMPUS i dedikuar për “Ri-funksionalizimin dhe modernizimin e Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie” filloi riaktivizimi i Qendrës. Në këtë periudhë u themelua edhe këshilli drejtues i QPM i përbëre nga 6 anëtarë, profesorë të Universitetit të Prishtinës, dhe një koordinator.
Krahas Universitetit të Prishtinës, bashkëkooperues në projekt ishin Universitetet partnere: Universiteti Erlangen – Nurnberg, Gjermani, Universiteti i Linzit, Austri dhe Qendra për Arsim e Kosovës - KEC. Si rezultat i bashkëpunimit, një grup i stafit akademik u certifikuan (12 trajnerë dhe koordinatori) në Universitetin Erlangen në Nurnberg të Gjermanisë për fushat vijuese: Bazat e didaktikës së mësimdhënies universitare, Shkathtësitë prezantuese, Metodat aktivizuese si dhe Procedurat dhe teknikat për vlerësimin e njohurive të studentëve.
Qëllimi kryesor i certifikimit të trajnerëve ishte që ata të ndihmojnë fuqishëm në reformimin e mësimdhënies në gjithë Universitetin e Prishtinës (UP), në mënyrë që stafi akademik i UP-së të jetë koherent me metodat bashkëkohore të mësimdhënies. Në përputhje me këtë, QPM organizoi trajnime të vazhdueshme për stafin akademik të Universitetit të Prishtinës, me tendencë që në të ardhmen QPM të shërbejë edhe jashtë Universitetit të Prishtinës. Fatkeqësisht, me përfundimin e projektit TEMPUS, stagnoi edhe funksionalizimi i qendrës.
Me iniciativë të trajnerëve dhe menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës, në vitin 2013, në kuadër të projektit të partneritetit me Universitetet Amerikane të financuar nga Ambasada Amerikane, u ofruan 4 module trajnuese nga profesorë të Universitetit Shtetëror të Iowas, me ç’rast, si edhe më parë, interesimi për pjesëmarrje në trajnime ishte shumë i madh.
Interesimi dhe iniciativa e trajnerëve të certifikuar të QPM-së për funksionalizimin e Qendrës rezultoi me trajnime epizodike e sporadike të ofruara për stafine  UP-së në periudha të ndryshme, siç ndodhi në vitin 2015 dhe 2016 me ç’rast u realizuan një sërë trajnimesh. Kjo u bë e mundur me përkrahjen e USAID-it në Kosovë, MASHT-it, dhe Programit të Lidershipit Transformacional – Bursat dhe Partneritetet, e implementuar nga World Learning. Gjatë kësaj periudhe, u ofruan një numër modulesh nga trajnerët vendorë në baza vullnetare.
Përkundër vullnetit dhe përpjekjeve të vazhdueshme të trajnerëve të certifikuar, mungesa e bazës ligjore dhe mungesa e përkrahjes së vazhdueshme institucionale ishte pengesë kryesore për ta bërë QPM-në e UP-së tërësisht funksionale.
Mirëpo, në vitin 2017 u ndërmorën një numër hapash vendimtarë në drejtim të funksionalizimit të plotë të QPM-së. Qendrës për Ppërsosmëri në Mësimdhënie të Universitetit të Prishtinës iu nda hapësira (Salla e trajnerëve & Zyra e koordinatorit) në ndërtesën e Bibliotekës Universitare e cila u pajisë me përkrahjen e plotë të World Learning. Kah fundi i po këtij viti, Këshilli Drejtues i UP-së mori Vendimin për themelimin e QPM-së. Përveç kësaj, Rregullorja për strukturën dhe parimet e funksionimit të QPM-së së UP-së po ashtu u miratua nga Këshilli Drejtues. Më pastaj, edhe Rregullorja për sistematizimin e vendeve të punës u amandamentua në mënyrë që QPM-ja të përfshihet si njësi funksionale ne mesin e njësive dhe zyrave të tjera të UP-së. Me këtë rregullore parashihet që në QPM, përveç shefit, të punësohen me orar të plotë edhe një koordinator dhe një zyrtar administrativ.
Me miratimin e këtyre dokumenteve, konstituimi i Këshillit të trajnerëve dhe emërimi i Shefit të QPM-së së UP-së u bë i mundshëm. Hapat që u ndërmorën në vitin 2017 e transformuan QPM-në në njësi plotësisht operacionale dhe të efektshme me perspektivë operacionale me afat të gjatë.
Pas masave përkitazi me të bërit të QPM-së plotësisht operativ si dhe për të dëshmuar në praktikë funksionalitetin e saj, në përputhje me misionin e saj gjatë nëntorit dhe dhjetorit të viti 2017, QPM filloi aktivitetin e saj me dy radhë të trajnimeve në modulet bazike në Mësimdhënien në Arsimin e lartë. Përmes këtyre trajnimeve u trajnuan dhe u certifikuan rreth 40 profesorë dhe asistentë të sapozgjedhur të UP-së.
Në janar të vitit 2018, koordinatori, me rol të dyfishtë – me atë të përkrahjes së aktiviteteve të QPM-së, dhe njëkohësisht të ofrimit të kurseve që ndërlidhen me teknologjinë (përdorimi i platformës digjitale CourseSites) u punësua me kontratë me përkrahjen e World Learning. Mirëpo, përveç pozitës së koordinatorit, është paraparë që QPM ta shpallë edhe pozitën e zyrtarit administrativ. Përveç kësaj, Këshilli Drejtues i UP-së e miratoi edhe ndarjen e buxhetit  për aktivitetet e QPM-së.
Në pajtim me misionin e saj për avancimin e kapaciteteve dhe promovimin e mësimdhënies së efektshme dhe cilësore, QPM, duke synuar ngritjen e kapaciteteve të saja trajnuese dhe zgjerimin e grupit të trajnerëve të certifikuar, e publikoi ftesën për stafin akademik të UP-së për aplikim për programin “Trajnimi i Trajnerëve” (TIT) në mesin e muajit shkurt 2018.
Programi TIT, duke qenë projekt i dizajnuar në bashkëpunim me World Learning, Universitetin Shtetëror të Arizonës, dhe Qendrën për Përsosmëri në Mësimdhënie të UP-së ishte planifikuar të implementohej gjatë periudhës mars-shtator 2018.
Programi i trajnimit përmbante modulet për qasjet më bashkëkohore të të nxënit dhe të mësimdhënies në arsimin e lartë dhe po ashtu përfshin integrimin e teknologjisë më të avancuar për lehtësimin e procesit të të nxënit dhe të mësimdhënies; për rrjedhojë përmirësimin e performancës së mësimdhënësve, si dhe të rezultateve të studentëve.
Programi TIT ishte paraparë të implementohej në katër faza. Tri fazat e programit qenë paraparë të realizoheshin në QPM-në e UP-së, ndërkaq faza e katërt u realizua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas shqyrtimit të aplikacioneve dhe procesit të intervistimit, 12 aplikantë nga njësi të ndryshme akademike të UP-së u përzgjodhën për t’u trajnuar në Programin TIT dhe procesi i trajnimeve filloi ashtu siç ishte paraparë. Programi TIT u përmbyllë në tetor të vitit 2018. Në këtë mënyrë, QPM e UP-së e dyfishoi kapacitetin e saj trajnues dhe e begatoi ofertën e saj me modulet e reja të zhvilluara nga trajnerët e lartë dhe të rinj.
QPM parashtroi kërkesën dhe iu lejua shtrirja e projektit edhe për një fazë shtesë. Rrjedhimisht, në mars të vitit 2019, një ekip prej tre trajnerësh të certifikuar realizuan vizitën studimore në universitetet amerikane dhe u trajnuan në çështjet e integritetit akademik dhe tani janë në proces të përgatitjes së kurseve të reja që do të ofrohen në të ardhmen e afërt.
Me kërkesën e menaxhmentit të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini, QPM ka filluar implementimin e projektit 3-fazësh për trajnimin e stafit të UMIB-it. Gjatë vitit 2020 i gjithë stafi i UMIB-it do të trajnohen në nivelin bazik ”Mësimdhënia në Arsimin e Lartë”, ndërkaq gjatë vitit 2021 të certifikuarit në nivelin bazik do ta vijojnë nivelin e avancuar të trajnimit “Planifikimi dhe implementimi i Mësimdhënies në Arsimin e lartë”.
Nga rifunksionalizimi i saj në nëntor 2017 e gjer tani, QPM ka arritur të trajnojë dhe të certifikojë gjithësej 586 pjesëtarë të stafit të rregullt në të dy nivelet e trajnimeve në metodologjitë më bashkëkohore të të nxënit dhe të mësimdhënies. Është kurajues fakti se shumë pjesëtarë të stafit të certifikuar në nivelin bazik dhe atë të avancuar të trajnimeve në QPM  kanë shprehur interesim për vijimin e kurseve të tjera të organizuara nga QPM.
Në këtë kontekst, vlen të përmendet se QPM ka fituar një projekt përmes Programit University Support Grant të sponsorizuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Projekti fitues “Through Collaboration and Innovation towards Sustainable Development” me tri kompenemtet e tij: Pajisja e QPM-së me teknologjinë dhe librat relevantë; Analiza e nevojave të stafit të UP-së për trajnime dhe raportimi; dhe Trajnimet specifike për trajnerët e QPM-së dhe stafin e UP-së që do të realizohen nga Profesor Laura Cruz nga Universiteti Shtetëror i Pensylvanias, do t’ia jep një shtysë zhvillimit të mëtutjeshëm dhe zgjerimit të aktiviteteve të QPM-së. 
Me miratimin e Rregullores për mënyrën e financimit të shëbimeve që ofrohen nga Qendrat profesionale të Universitetit të Prishtinës, mënyrën e kompensimit të personelit dhe mënyrën e ndarjes së të hyrave të realizuara, një kapitull i ri po hapet për funksionimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të QPM-së. Tani QPM do të jetë në gjendje të gjenerojë të hyrat vetanake duke ofruar trajnime jashtë UP-së për stafin e IAL në vend dhe në rajon, si dhe për individët e tjerë të cilët kanë interesim për zhvillimin e kapacitetit të tyre mësimdhënës për të vijuar trajnime të ndryshme me një vistër fokusësh që do të përgatiten dhe zhvillohen në QPM.