Historiku i Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie

Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie (QPM) është themeluar si bashkëpunim me përfaqësuesit e Universitetit Shtetëror të Arizonës – SHBA në vitin 2004. Pas themelimit e deri në vitin akademik 2005/2006 QPM operonte vetëm në Fakultetin Filozofik, ndërsa pas kësaj periudhe, Senati i UP-së e zgjeroi fushë veprimtarinë e qendrës për të gjitha njësitë e UP-së.

Në fillim për organizimin e aktiviteteve profesionale, QPM e gëzonte mbështetjen materiale dhe profesionale nga Universiteti i Arizonës. Që nga viti 2006, QPM arriti të realizoj një numër më të vogël të trajnimeve meqë kishte vështirësi financiare, dhe me të njëjtat vështirësi vazhdoi deri në fundin e vitit 2007.

Në prill të vitit 2007 në mbështetje të projektit TEMPUS i dedikuar për “Ri-funksionalizimin dhe modernizimin e Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie” filloi riaktivizimi i Qendrës. Në këtë periudhë u themelua edhe këshilli drejtues i QPM i përbëre nga 6 anëtareve, profesor të Universitetit të Prishtinës, dhe koordinatori.

Krahas Universitetit të Prishtinës bashkë kooperues në projekt ishin Universitetet partnere: Erlangen Universitet – Nurnberg, Gjermani, Universiteti i Linz, Austri dhe Qendra për Arsim e Kosovës - KEC. Si rezultat i bashkëpunimit, një grup i stafit akademik u certifikuan (8 trajnerë dhe koordinatori) në Erlangen Universitet në Nurnberg të Gjermanisë për fushat si në vijim: Bazat e didaktikës të mësimdhënies universitare, shkathtësitë prezantuese, metodat aktivizuese si dhe procedurat dhe teknikat për vlerësimin e diturive të studentëve.

Qëllimi kryesor i certifikimit të trajnerëve ishte që ata të ndihmojnë fuqishëm në reformimin e mësimdhënies në gjithë Universitetin e Prishtinës (UP), në mënyrë që stafi akademik i UP-së të jetë koherent me metodat bashkëkohore të mësimdhënies. Ne vazhdim, QPM organizoi trajnime të vazhdueshme për stafin akademik të Universitetit të Prishtinës, me tendencë që në të ardhmen QPM të shërbejë edhe jashtë Universitetit të Prishtinës.

Fatkeqësisht, me përfundimin e projektit TEMPUS, stagnoi edhe funksionalizimi i qendrës.

Me iniciativë të trajnerëve dhe menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës, në vitin 2013, në kuadër të projektit të partneritetit me Universitetet Amerikane të financuar nga Ambasada Amerikane, u ofruan 4 module trajnuese nga profesor të Iowa State University, ku si edhe më parë interesimi për pjesëmarrje në trajnime ishte shume i madh.

Se fundi qendra është riaktivizuar ne vitin 2015, me ndihmën e Programit Lidershipi Transformues - Bursat dhe Partneritetet (TLP-SP). TLP-SP është program i cili ka për qellim te zhvilloj me tej një kuadër profesionist te liderëve te cilët do te mund t’i prijnë një zhvillimi domethënës ekonomik, politik dhe shoqëror ne Kosove.